Lajme të këqija për Barcelonën, lëndimi i sulmuesit brazilian Rafinha është më i rëndë sesa u mendua në fillim. Ekzaminimet e kryera të enjten, kanë treguar se 22-vjecari ka këputur ligamentin e gjurit dhe duhet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale. Çka do të thotë se braziliani me shumë gjasa i ka dhënë fund sezonit.
Rafinha u lëndua gjatë ndeshjes që Barcelona barazoi 1-1 me Romën në Champions League. 3 minuta pasi u hodh në lojë ai vuajti një ndërhyrje të ashpër të Radja Nainggolan dhe u detyrua të dalë nga fusha me ndihmën e stafit mjekësor.
Ndërkohë po në këtë ndeshje u lëndua edhe portieri i Romës, polaku Szczesny. Ish-portieri i Arsenalit sipas ekzaminimeve të para ka marrë një lëndim në gishtin e katërt të dorës së majtë. Ai u lëndua pas një tentative për t’i kapur topin sulmuesit të Barcelonës Luis Suarez. Sipas lajmeve që vijnë nga Roma, 25 vjecari ka nevojë për ekzaminime të tjera, në mënyrë që të përcaktohet edhe më mirë shkalla e lëndimit.