Rafael Leao synon vazhdimin e karrierës me Milanin

Sport

Rafael Leao ka vetëm një dëshirë; të qëndrojë për një kohë të gjatë në klubin e Milanit, duke synuar suksese të mëdha me klubin kuqezi. Pavarësisht zërave të ndryshme të merkatos, se mund të largohet nga 19 herë kampionat e Italisë, me Barcelonën që vijon të tregojë një interes konkret për të, objektivi i Leaos është të mos largohet nga Milani, por të ketë një karrierë të suksesshme me gjigantët europianë. Këtë gjë e ka thënë vetë futbollisti në një dalje të fundit mediatike. “A e shoh veten tek Milani për një kohë të gjatë? Të shpresojmë që po. Kur erdha këtu, isha një tifoz i këtij klubi, ndërsa kuptova menjëherë pasionin e tifozëve dhe se ç’do të thoshte të mbaje veshur këtë fanellë, e cila ka një peshë të veçantë. Direkt mendova se duhet të qëndroja këtu për shumë vite dhe të fitoja trofe. Falenderoj ata që më sollën në këtë klub dhe ata që më kanë ndihmuar të rritem si lojtar dhe si person ditë pas dite.” Gjithashtu, 25 vjeçari ka folur me fjalë superlative për trajnerin e ri të skuadrës, Sergio Conceiçao, duke thënë se bashkëkombasi i tij ka sjellë një energji dhe mentalitet në skuadër dhe kjo gjë u dallua në vetëm dy ndeshjet e Superkupës, teksa në fund, Milani arriti të fitonte trofeun. Anësori i sulmit, tani shpreson që situata të vazhdojë vetëm në mënyrë pozitive, teksa është shprehur në të njëjtën kohë, se një klub si Milani duhet të ëndërrojë për të fituar trofetë edhe një trofe si Champions League, diçka që është e vështirë, por jo e pamundur të arrihet.