Rafael Benitez pranë emërimit në krye të një skuadre spanjolle

Sport

Rafael Benitez drejt rikthimit në stol. Ish-trajneri i Liverpool, Inter, Napoli, apo edhe Real Madrid, pritet të marrë sërish përgjegjësi. Sipas informacioneve që vijnë nga mediat e huaja, 63 vjeçari do të jetë timonieri i ri i skuadrës së Celta Vigos në Spanjë.

Marrëveshja mes klubit Galician dhe tekniku në fjalë është arritur me sukses, ndërsa pritet vetëm që çështja të marrë rrugë zyrtare. Detaje të kontratës ende nuk ka. Sidoqoftë, misioni i Benitezit në Balaidos do të jetë që ta përmirësojë sa më tepër të mundet ecurinë e skuadrës përgjatë sezonit.

Në edicionin që lamë pas, Celta Vigo përjetoi një periudhë të vështirë. Madje edhe qëndrimin në La Liga, e siguroi vetëm në javën e fundit.

Si një trajner me një karrierë që peshon shumë, falë sukseseve të mëdha, Benitez pritet që t’i japë një tjetër mentalitet skuadrës së Celtas.

Benitez nuk ndodhet në krye të një skuadre që prej Janarit të 2022-shit, atëherë kur u pushua nga Evertoni, ndërsa Spanja është një terren që ai e njeh mjaft mirë, për shkak të së shkuarës së tij. Aventura më e freskët e 63 vjeçarit ka qenë me Real Madrid në vitin 2015-të, ndërsa suksesin e tij më të madh e ka regjistruar me Valencian, aty ku nga 2001-shi, e deri në 2004-tën, arriti të fitonte 2 tituj kampionë.