Rabiot ka refuzuar vendin në kombëtaren e Francës, sipas “L’Equipe”

Sport

rabiot
Pak kohë më parë, trajneri i kombëtares së Francës, Didier Deschamps publikoi listën e 23 lojtarëve që ai do të thërrasë për në botërorin e Rusisë. Edhe tek kombëtarja e “gjelave” pati surpriza, teksa u lanë jashtë kësaj liste lojtarë si Alexandre Lacazette, Dimitri Payet apo Adrien Rabiot. Mirëpo siç raportojnë së fundmi të përditëshmet pariziene “L’Equipe” dhe “Le Parisien”, vetë mesfushori i PSG e ka refuzuar ftesën për në kombëtaren franceze. Përpara publikimit të listës nga ana e trajnerit, Rabiot thuhet të ketë biseduar me Didier Deschamps në lidhje me rolin e tij tek “blutë” dhe mesa duket, 23-vjeçari nuk e ka pranuar të jetë thjesht një lojtar stoli në botërorin e Rusisë. Ai thuhet të ketë dërguar një letër tek drejtuesit e federatës franceze të futbollit, ku ka sqaruar gjithçka dhe u ka treguar arsyet e vendimit të tij.

rabiot12
Kjo nuk është hera e parë që Rabiot bëhet pjesë e të tilla situatave. Edhe në kryeqytetin francez ai mendohet të ketë patur pakënaqësi, kjo për shkak se mesfushori mendon se meriton më shumë nga ana sportive dhe ekonomike. Të njëjtat arsye duket të jenë bërë edhe shkak për këtë vendim të tij, që me shumë gjasa ka lënë një shije të hidhur tek bashkëkombasit e tij dhe vë jo pak në pikëpyetje edhe te ardhmen e tij, si tek kombëtarja e Francës, ashtu edhe tek klubi i PSG.