Luhet gjysmëfinalja e Champions League. Minuta e 82 dhe duhet të shënosh me patjetër nga pika e bardhë e penalltisë për të ngushtuar diferencën e rezultatit e për të mbajtur hapur çështjen e kualifikimit.
Kur tensioni kishte arritur pikën kulmore, Karim Benzema, zgjodhi, ndoshta mënyrën më të vështirë për të realizuar. Sulmuesi i qendrës ekzekutoi një panenka, duke treguar një qetësi absolute përballë 53 mijë tifozëve në Etihad Stadium. Ky ishte një moment deçiziv, jo vetëm për Real Madrid, por edhe për vetë Benzema, i cili në fundjavë përballë Osasunas, sapo kishte humbur dy penallti të njëpasnjëshme. Megjithatë, këtë herë, 34 vjeçari zgjodhi një metodë që askush nuk e priste.
Pas përfundimit të takimit, i pyetur mbi këtë moment, lojtari tregoi edhe arsyen e ekzekutimit në këtë mënyrë të penalltisë.
“Panenka? Gjithçka ka të bëjë me vetëbesimin. Unë kam shumë vetëbesim. Prandaj nuk u mendova dy herë dhe gjithçka funksionoi për mrekulli”, ka thënë francezi.
Më tej, numri 9-të, ndër të tjera, i ka bërë thjirrje tifozëve që të jenë në mbështetje të skuadrës për ndeshjen e kthimit në Santiago Bernabeu, të mërkurën e ardhshme, aty ku Reali do tentojë të përmbysë humbjen 4-3 që pësoi në tokën angleze.
Një koment për 11 metërshin e gjuajtur nga Benzema, e ka dhënë edhe trajneri I Los Blancos, Carlo Ançelotti, i cili ka thënë se sulmuesi I tij vendosi të ndërronte taktikë pas 2 penalltive të shpërdoruara ndaj Osasunës. “Ai e ushtroi vazhdimisht këtë në stërvitje, por nuk e mendova se do finalizonte në atë mënyrë. Gjithçka shkoi mirë dhe ky është një tregues se Benzema zotëron një personalitet dhe karakter mjaft të fortë”, është shprehur takticieni italian.
Me formën që po kalon Benzema, tashmë të shumtë janë zërat që e konsiderojnë atë si kandidatin potencial për të fituar Topin e Artë. Në lidhje me këtë temë, Carlo Ancelotti nuk ka asnjë dyshim. 62 vjeçari mendon se Benzema e meriton më shumë se çdokush tjetër Topin e Artë për këtë vit.