Duhet të tregonte veten përballë Steuas së Bukureshtit, ekipit që ndoshta mund ta rrëmbejë gjatë verës. Mirëpo Kamer Qaka e mbylli përpara kohe ndeshjen me një paraqitje zhgënjyese, duke lënë fushën e lojës pas një kartonit të kuq që mori në minutën e 74 të takimit.
Përjashtimi në fakt erdhi si pasojë e dy kartonëve të verdhave, thuajse të panevojshëm, çka njollosi jo pak paraqitjen e bërë deri në atë moment. Episode këto që treguan se në aspektin psikologjik, ndoshta ai nuk është ende gati për futbollin e rëndësishëm. Megjithëse përpara ndeshjes ishte shprehur se është gati për kërcimin e madh dhe se është i aftë për të përballuar presionet kudo që të shkonte.
Mirëpo ajo që bëri bujë, deri edhe nëpër rrjetet sociale, ishte fakti se si Qaka reagoi menjëherë pasi kreu faullin e dytë, që i kushtoi të kuqin. Futbollisti u ul këmbëkryq në fushë, duke mbajtur kokën me duar, pa ngritur sytë lart për të shikuar gjyqtarin, pasi duket se e kishte kuptuar atë se çfarë e priste. Kështu u largua i dëshpëruar nga fusha e lojës, por duket se kjo i shërbeu si motivim shokëve të tij të skuadrës. Edhe pse me një lojtar më pak, ata gjetën forca për të shënuar dy minuta nga fundi, duke e mposhtur 1-0 Steauan në këtë ndeshje, ku praktikisht gjigantët e futbollit rumun i thanë lamtumirë titullit kampion.
Gjatë ditëve të fundit është folur për një kalim të Qakës te klubi nga Bukureshti, gjë që është pranuar edhe nga vetë lojtari dhe presidentit i Steauas, Xhixhi Bekali. Gjithsesi, gjithçka është në dorën e Poli Iasit, që do të vlerësojë ofertën më të mirë.