Ashtu siç ishte përfolur prej javësh, Mauricio Pochettino nuk do të jetë më trajner i PSG. Lajmi për shkarkimin e teknikut argjentinas nga stoli i kampionëve të Francës është bërë zyrtar nga vetë drejtuesit e klubit, që largojnë 50-vjeçarin pas 18 muajve në krye të stolit. Që nga janari i vitit 2021, kur mori detyrën si trajner i PSG, Pochettino dhe stafi i tij udhëhoqën skuadrën në 84 ndeshje në të gjitha kompeticionet.
Nën drejtimin e tij, klubi kryeqytetas numëroi 56 fitore, 15 barazime dhe 14 humbje, teksa arriti të siguronte edhe 3 trofe, me i fundit, titulli i 10 si kampionë të Francës. Në lajmërimin e nxjerrë edhe nëpër rrjetet sociale, PSG falenderon Pochettino-n dhe stafin e tij për punën e bërë deri më tani, ndërkohë që pjesa më e madhe e tifozëve e kanë mirëpritur këtë vendim. Duke qenë se ishte folur shpesh për disa probleme brenda dhomave të zhveshjes, të shumtë kanë qenë ata që kanë fajësuar trajnerin argjentinas për mosmenaxhimin e mirë të situatës. Edhe në aspektin taktik, të gjithë prisnin më shumë prej Pochettino-s, sidomos pas mbërritjes se Lionel Messi-t në skuadër. Mbështetësit e PSG e kishin humbur toruan me teknikun argjentinas, pas zhgënjimit në ‘Champions League’.
Në fakt, 50-vjeçari nuk merr bekimet e sinqerta të ultrasve të skuadrës, që menjëherë kanë hedhur sytë tek drejtuesi i radhës në stolin e ekipit. Christophe Galtier do të marrë drejtimin kampionëve të Francës për sezonin e ardhshëm, ku së bashku me drejtorin Lucas Campos, pritet t’i japin një tjetër fytyrës ekipit. Galtier drejtoi skuadrën e Lille nga 2017-a deri në 2021-shin, duke rikthyer skuadrën në nivelet më të larta, çfarë kulmoi me titullin kampion. Ai ishte pjesë e Nice, por hoqi dorë nga marrëveshja me ta, për të qenë gati për aventurën tek PSG.