Pasditja e së hënës ishte plot e ngarkuar për 40-vjeçarin Gianluigi Buffon i cili u prezantua si portieri i ri i PSG. Në një ceremoni të organizuar enkas për angazhimin e tij, tifozë të shumtë të kampionëve të Francës i shfaqën atij mbështetjen dhe gëzimin për zgjedhjen që kishte bërë. Pas 17 sezonesh te Juventusi, shtatlarti vendosi të ndryshojë ambient duke zgjedhur një aventurë të re edhe pse në dukje tejet e vështirë. Buffon nënshkroi me PSG-ën një kontratë një-vjecare me opsion ripërtëritjeje, ndërsa u prit me plot flakadanë dhe brohoritje nga ultrasit.
Një kampion absolut, i cilësuar ndër më të mirët në rolin e tij, karriera e Gigit është plot me trofe, por që në CV-i i ka munguar titulli i Champions League-ës. Pikërisht për këtë u pyet gjatë konferencës për shtyp, por ai tha se nuk e ka një obsesion këtë kupë, si ai po ashtu edhe PSG-ja. Përballë interesimit të gazetarëve nuk mund të mungonte një pyetje rreth Juventusit dhe zërave që flasin për afrimin e Ronaldos. Ai tha se do ishte e gëzueshme për të ta shihte portugezin te bardhezinjtë, ndërkohë përballë një sfide në Champions kundër ish-skuadrës së tij, ai tha se “do ishte shumë”. Te skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel ai i bashkohet të rinjve Areola dhe Trapp, por pavarësisht konkurrencës ai është zotuar se do të luftojë për të qenë portier i parë.