PSG zyrtarizon blerjen e…

Sport

PSG ka zyrtarizuar transferimin e futbollistit spanjoll, Pablo Sarabia, për të cilin francezët thuhet se kishin arritur një akord kohë më parë. 27-vjeçari transferohet në kryeqytetin francez nga skuadra e Sevillas, ku Sarabia shpenzoi 3 sezonet e fundit. Mesfushori është parë si një blerje e domosdoshme nga e drejtuesve të PSG dhe trajnerit Thomas Tuchel, që kërkojnë të shtojnë nivelin e kreativitetit tek organika e ekipit kampion të Francës. Pablo Sarabia është një produkt i akademisë së Real Madrid, por tek ‘los blancos’ ai zhvilloi vetëm 1 ndeshje në 2010, teksa hapësirat për të mungonin.

Prej aty ai kaloi tek Getafe, ku për 5 sezone rriti ndjeshëm nivelin e tij të lojës dhe bëri që jo pak skuadra të interesoheshin për të, derisa vendosi të nënshkruante me Sevillan. Sezonin që sapo u mbyll, Sarabia zhvilloi plot 52 ndeshje, ku realizoi 23 gola dhe shërbeu 17 asiste. Vlera e kartonit të lojtarit llogaritet në 40 milionë euro, por PSG ka shfrytëzuar marrëdhëniet e mira me drejtuesit e Sevillas për ta marrë spanjollin me gjysmë çmimi. Transferimi i Sarabias shihet si një lëvizje mjaft e mirë nga ana e PSG, që do t’i sigurojnë më shumë kualtiet trajnerit Tuchel, si dhe alternativa mjaft të mira për një sezon të gjatë.