PSG vs Liverpool TS1 HD, 21:00

Sport

Luis Enrique, trajneri i Parisit:

“Liverpool është një prej skuadrave më të mira në Europë përgjatë viteve të fundit. Do të luajmë përballë skuadrës që ka prodhuar futbollin më të mirë këtë sezon në Champions League. Ata gjithashtu nuk kanë shumë vite që kanë triumfuar në këtë kompeticion. Pas epokës së Jurgen Klopp, mund të kishte rezultuar e vështirë për trajnerin Arne Slot për të bërë mirë, por ai ia doli të krijonte një skuadër perfekte, që di si të bëjë pressing, të mbrojë dhe të sulmojë. Ata dinë po ashtu edhe të organizohen në mënyrë të përkryer edhe në kundërsulm. Do të thoja se Liverpool është një skuadër e kompletuar. Mirëpo kjo gjë na motivon më shumë, pasi përpara nesh është paraqitur një mundësi për të treguar veten dhe për të rritur nivelin tonë.

Do të përpiqemi të tregojmë të njëjtën qasje siç kemi bërë përgjatë gjithë sezonit. Nuk do të ndryshojë asgjë. Do të synojmë të kontrollojmë topin më shumë se kundërshtari, të krijojmë më shumë mundësi  dhe të jemi mjaft efektivë në mbrojtje. Sigurisht që e dimë kualitetin e ekipit ndaj të cilit do të luajmë, por plani ynë i lojës, absolutisht që nuk do të ndryshojë.

Ne kemi një skuadër të re, por në sezonin e kaluar, ia dolëm të shkonim deri në gjysmëfinale. Kështu që mendoj se ky nuk është një disavantazh. Tani e dimë se në këto ndeshje kaq të mëdha, duhet të kontrollojmë emocionet tona dhe të jemi të qetë. Të gjithë lojtarët janë gati dhe secili prej tyre dëshiron të luajë në një ndeshje si kjo. Do të përpiqemi të organizohemi në një mënyrë sa më natyrale, ashtu siç kemi bërë deri më tani.”

Joao Neves, mesfushori i PSG:

“Mendoj se skuadra është gati. Do të luajmë futbollin tonë të zakonshëm pasi kjo është mënyra më e mirë për të fituar. Liverpool është një skuadër shumë e mirë dhe këtë e vërteton fakti se ata dolën të parët në fazën e ligës. Por, dua të përqendrohemi në anën tonë dhe jam i lumtur, pasi po zhvillojmë një futboll mjaft pozitiv. Nëse sonte do të tregohemi të aftë të përsërisim veten tonë, do të ishte perfekte. Mënyra më e mirë për t’u mbrojtur, është zotërimi i topit. Kjo është pikërisht një nga strategjitë tona. Qarkullimi i topit dhe prodhimi i një futbolli shumë cilësor. Nëse flasim në kontekstin e një skuadre, mendoj se ne jemi më të mirë sesa Liverpool. Kjo është një ndeshje ku çdo detaj merr një rëndësi të veçantë dhe çdo duel mund të bëjë diferencë.”

 

 

Arne Slot, trajneri i Liverpool:

“PSG është një nga skuadrat më të forta në Europë dhe mendoj se gjithkush pajtohet me mua në këtë drejtim, sidomos me futbollin që kanë arritur të prodhojnë përgjatë javëve apo muajve të fundit. Në formatin e mëparshëm, nëse dilje i pari në grup, mund të mos përballeshe me një ekip tjetër të fortë. Kjo mund të ndodhë edhe në formatin e ri, por gjithsesi këtu është pak në ndryshe. do të jetë një përballje fantastike për të gjithë tifozët e këtij sporti. Të dyja skuadrat kanë shënuar nga shumë gola këtë sezon dhe stili i lojës është gati-gati i njëjtë. Jo fiks i ngjashëm, por do të thoja se kemi disa pika të përbashkëta. Si për shembull; na pëlqen qarkullimi i topit dhe ushtrojmë shumë pressing kur nuk jemi në zotërim të topit.

Luis Enrique? Mendoj se ai ka bërë një punë të jashtëzakonshme përgjatë këtij një viti e gjysmë. Eurique ka arritur që jo vetëm të ngrejë nivelin e skuadrës, por gjithashtu ka punuar mirë me lojtarët edhe nga ana individuale. Nëse shohim kualitetin, apo kutributin që Ousmane Dembele mund t’i ofrojë ekipit, atëherë kjo është diçka shumë impresionuese. Pra, puna e trajnerit të Parisit me këtë ekip është e qartë. Brenda një sezoni e gjysmë, ai ka arritur të shkojë deri në gjysmëfinale të Champions League. Madje, sipas opinionit tim, Parisi i këtij sezoni, është më i fortë në krahasim me atë të një sezoni më parë.”

Ëataru Endo, mesfushori i Liverpool:

“Sapo pashë shortin që do të luanim ndaj Parisit, u emocionova. Parisi ështën jë skuadër shumë e mirë dhe që ka marrë gjithashtu rezultate pozitive në Champions League. ata kanë mesfushori të mirë, e po ashtu edhe lojtarë të rinj. Unë si numër 6 në fushë, duhet të kem shumë kujdes ndaj tyre. Kurse si skuadër, thjesht duhet të bëjmë lojën tonë, ashtu siç kemi bërë gjithmonë. Të luash për Liverpool, duhet të kesh besim. Gjithmonë duhet të përpiqesh të fitosh dhe të japësh më të mirën për skuadrën. Gjithkush është gati të luajë sonte, s’ka rëndësi nëse do të jetë titullar ose jo. Jemi të motivuar të shkarkojmë të gjitha bateritë në fushën e lojës dhe të tregojmë veten tonë. Mendoj se kjo është një nga arsyet përse kemi marrë kaq rezultate pozitive këtë edicion futbollistik.”