PSG, Verratti është gati të luajë 90 minutat më të rëndësishme të karrierës

Sport

PSG siguroi për herë të parë në historinë e klubit një finale të ‘Champions League’-ës, një objektiv ky që ishte vendosur që kur mori jetë projekti i ‘Qatar Sports Investments’ thuajse 10 vite më parë. Kampionët e Francës kishin disa sezone që përpiqeshin të arrinin në majën e elitës së kontinentit dhe ky do të jetë rasti më i mirë që parizienët të shkruajnë historinë dhe të shndërrohen zyrtarisht mes klubeve më të mira në botë. Për më tepër, në rast se PSG do të mund Bayern në finale, do të bëhet vetëm skuadra e dytë franceze, pas Marseille, që ia del mbanë të ngrejë lart trofeun më të lakmuar. Të besuarit e Tuchel janë gati të japin gjithçka për të bërë realitet ëndrrën e një qyteti të tërë, ndërsa lajm i mirë është edhe rikthimi i Verrattit. Për mesfushorin italian, kjo është ndeshja më e rëndësishme e karrierë së tij dhe pavarësisht presionit të lartë që të jep një finale e tillë, ai është i bindur se forca e skuadrës së Tuchel do t’ja dal ta fitojë edhe këtë finale. Verratti u shpreh se ky kompeticion është gjithnjë i vështirë dhe në çdo fazë të saj të ndodh të përballesh me të papritura të ndryshme. Sipas tij, kjo është një nga arsyet se pse ‘Champions League’-a mbetet kaq shumë e dëshiruar nga klubet europiane. PSG ka bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm gjatë këtij sezoni, ku ka përjetuar edhe drama të minutave të fundit, ndaj Verratti jo më kot i cilëson 90 minutat kundër Bayern si më të rëndësishmet për të dhe për të gjithë lojtarët e tjerë të skuadrës. Ai luajti disa minuta në gjysmëfinalen e fituar 3-0 ndaj Leipzig, duke bindur trajnerin Tuchel se ka lënë pas dëmtimin dhe se është gati të japë kontributin e tij në qendër të mesfushës.