PSG tregon kërkesat që ka për të lënë të lirë Neymar

Sport

Rikthimi i Neymar tek Barcelona mund të bëhet realitet gjatë kësaj merkatoje verore dhe tek PSG janë dorëzuar sa i përket qëndresës për yllin brazilian. Kampionët e Francës kanë zbuluar kërkesat e tyre për të lënë të lirë Neymar dhe sigurisht që bëhet fjalë për aksin Paris-Barcelonë. Sipas asaj që zbulon ‘Goal.com’, drejtuesit francezë mund të marrin në konsideratë një ofertë nga katalanasit që përfshin Philippe Coutinhon, Nelson Semedon dhe 50 milionë euro ‘cash’. Coutinho përflitet prej ditësh se është duke kërkuar një skuadër për sezonin e ardhshëm dhe PSG mund të jetë një nga alternativat më të mira të brazilianit.

Nelson Semedo gjithashtu ka qenë gjatë gjithë verës në listën e lojtarëve në largim tek Barcelona, që mund të mendojë seriozisht kompletimin e kësaj tratative. Presidenti i katalansve, Josep Maria Bartomeu e pranoi publikisht se Neymar kërkonte largimin nga PSG dhe Barcelona po e ndiqte situatën. Megjithatë, kampionët e Spanjës nuk janë të vetmit që interesohen për Neymar. Edhe gjigandët e tjerë të ‘La Liga’-s, Real Madrid thuhet se kanë paraqitur një ofertë fillestare për parizienët. ‘Los blancos’ mendojnë të sigurojnë firmën e Neymar duke ofruar 120 milionë euro, plus kartonin e ‘Topit të Artë’, Luka Modric. Por raportimet e fundit në Francë thonë se drejtuesit e PSG do ta refuzojnë këtë ofertë, pasi në moshën 34-vjeçare, vlera e Modric në treg nuk mund të jetë e njëjtë si më parë.