PSG siguron afrimin e Icardit në orët e fundit

Sport

Pavarësisht gjithë spekulimeve, PSG nuk e lejoi largimin e Neymar drejt Barcelonës, duke qenë se klubet nuk gjetën një gjuhë të përbashkët. Braziliani do të vijojë të jetë pjesë e kampionëve të Francës, drejtuesit e së cilës kanë bërë edhe një goditje të fundit në merkato. PSG arriti të sigurojë firmën e Mauro Icardit, që më në fund largohet nga Interi pas disa muajve të vështirë e plot polemika mes palëve. Icardi transferohet në ‘Parc des Princes’ në formë huazimi dhe PSG ka të drejtë të blejë përfundimisht kartonin e argjentinasit për plot 70 milionë euro. Një marrëveshje e mirë për Inter, që është e vendosur për të mos e rikthyer më Icardit në planet e klubit. Nëse PSG vendos të paguajë 70 milionë euro në fund të këtij sezoni, atëherë Inter do të siguronte të ardhura të mira, që do të justifikonin edhe disa nga shpenzimet e bëra gjatë kësaj vere. Icardi nuk vonoi të bënte prezantimin e tij me skuadrën e re, ku u shfaq entuziast për aventurën e re.  “Ky është një hap i madh dhe një shans i mirë për karrierën time. Do të kem mundësi të luajë me Di Marian, Paredes, Cavani apo Neymar. Sigurisht që jam këtu edhe prej këtij fakti.”


Në Francë, Icardi shihet si një blerje e rëndësishme për rrugëtimin në ‘Champions League’ dhe duke marrë parasysh faktin që Neymar do vijojë të luajë në kryeqytetin francez, shanset e PSG tashmë janë edhe më të mira. Por Icardi nuk ishte goditje e vetme e orëve të fundit për kampionët e ‘Ligue 1’. Parizienët arritën marrëveshjen me Real Madrid për shkëmbimin e portierëve Areola dhe Keylor Navas. Ky i fundit kishte lajmëruar prej kohësh largimin nga ‘los blancos’ dhe në fund vendosi kalimin tek gjigandët e PSG.