PSG po bëhet gati të zyrtarizojë Neymarin. Shtypi francez raportoi të martën se blutë e Parisit kanë kontaktuar me autoritetet lokale për të pasur mundësi të përdorimit të një sheshi qëndror. Bëhet fjalë për “Place du Trocadero” vend nga ku u zyrtarizua bujshëm edhe Zlatan Ibrahimovic. L’Equipe dhe Europe 1 raportuan se në radhët e PSG thonë se prezantimi i brazilianit mund të bëhet brenda kësaj jave. Neymar ndërkohë ka qenë në Dubai, i stacionuar përpara turit personal që do të ketë në Azi. Pikërisht në këtë qëndrim të tij në Emiratet e Bashkuara, thuhet se ai ka nënshkruar për PSG-ën. 220 milionë euro thuhet se do të paguhen nga këta të fundit për t’i prishur kontratën që Neymar ka me Barcelonën. Tifozët katalan kanë nisur një fushatë kundër 25-vjecarit, duke e konsideruar atë një mercenar, kjo pasi paga në Paris do jetë plot 30 milionë euro. Në Francë ndërkohë raportohet se PSG po kërkon koordinimin me policinë për të siguruar perimetrin dhe eventin e prezantimit të brazilianit. “Do jetë një mega-prezantim që s’është parë kurrë më parë” – citoi të martën një burim të sajin brenda klubit të PSG gazeta L’Equipe. Kështu 5 vite pas transferimit të Zlatan Ibrahimovic, lojtari që do të jetë qendra e projektit të së ardhmes pritet të jetë Neymar. Ndërkohë një çështje më vete mbetet për t’u zgjidhur edhe numri i fanellës. Te PSG numrat 10 dhe 11 janë të zëna nga Pastore dhe Di Maria.