PSG pezullon Lionel Messin. Pa lejen e klubit, përgjatë ditëve të fundit, argjentinasi udhëtoi me pushime drejt Arabisë Saudite bashkë me familjen e tij. Diçka e tillë nuk është pranuar nga gjigantët parizienë, të cilët kanë marrë menjëherë masa për këtë veprim të kampionit të botës.
Parisi, e ka konsideruar të papranueshëm faktin e largimit të Messit në atë mënyrë.
Menjëherë pas ndeshjes së fundit në kampionat, atë ndaj Lorient, të humbur 3-1 në shtëpi, Messi nuk është shfaqur më në ambientet e klubit parizien. Kur të gjithë e prisnin në stërvitje, ish-ylli i Barcelonës ka udhëtuar menjëherë drejt Lindjes së Mesme.
Në rrethana si këto, si masë ndëshkuese, Parisi do e pezullojë Messin me dy ndeshje, ku ai nuk do të mund të luajë nën urdhërat e trajnerit Galtier.
Në këtë situatë të krijuar, 7 herë fituesi i Topit të Artë, e ka krisur edhe më shumë marrëdhënien me klubin, e në këtë mënyrë, e ardhmja e tij mund të konsiderohet larg nga “Parc des Princes”. Kësisoj aventura e Messit në Ligue 1 mund të konsiderohet vetëm një aventurë dy vjeçare, teksa në këtë mënyrë, mund të shënojë njëkohësisht edhe fundin e epokës së tij futbollistike në Europë.
Nuk kanë munguar as zëra, se kjo vizitë e Messit në Arabi, është parë si një parapërgatitje e terrenit për sezonit e ardhshme, sepse klube të ndryshme ne ligën saudite janë interesuar gjatë kësaj kohe për të siguruar shërbimet e tij. Sidoqoftë, çdo gjë pritet të bëhet më e qartë përgjatë ditëve vijuese.