Pas dështimit të fundit me Real Madrid, është lehtësisht e kuptueshme se pozicioni i Unai Emery në krye të stolit të PSG është vënë në diskutim nga drejtuesit e klubit. Madje kishte nga ata që prisnin shkarkimin e trajnerit bask menjëherë pas humbjes me madrilenët në “Parc des Princes”, që i eleminoi parizienët nga Champions League. Nuk kanë vonuar ndërkohë edhe emrat e kandidatëve për të zënë vendin e Emery në krye të stolit të PSG. Presidenti Al-Khelaiffi pëlqen emrat e mëdhenj si Guardiola, Mouringo, Simeone apo Zidane, por që të gjthë këta janë nën kontratë dhe të kënaqur me skuadrat respektive. Kështu lista vijon me emra të tjerë si Conte apo Allegri.
Për këtë të fundit, gjërat duken të vështira, sidomos pas suksesi të Juventus ndaj Tottenham. Ndërsa pista e Antonio Conte duket të jetë ajo më e mundëshma dhe jo pak e pëlqyer nga ana e parizienëve. Conte nuk ka marrëdhënie të mira me drejtuesit e Chelsea dhe një largim i tij nga “Stamford Bridge” duke mëse i mundur në fund të sezonit. Nga ajo që konfirmohet nga media të ndryshme në Francë dhe Angli, PSG tashmë i ka nisur kontaktet me trajnerin italian, që mendohet të jetë i gatshëm të pranojë ofertën nga Franca, ku mund t’i sigurohet plotësimi i të gjitha kushteve nga ana e presidentit Al-Khelaiffi, me objektivin kryesor Champions League.
Conte shihet si zgjedhja më e mirë për PSG pasi skuadra ka nevojë për një reformim nga ana taktike, diçka të cilën 48-vjeçari e ka specialitet të tijin. Megjithatë, në rast refuzimi të tij, të gatshëm për t’i zënë vendin janë Arsene Wenger apo Luis Enrique. Ndërsa sa i përket Emery, klubi mund të ketë vendosur të shkojë deri në fund të këtij sezoni me trajnerin bask, për të startuar punë nga e para në merkaton e verës, në krimin e një skuadre që nuk do të quhet më e vogël në Europë.