PSG, Neymar mbron Lionel Messin nga kritikat e tifozëve

Sport

Neymar mbron Lionel Messin nga kritikat e tifozëve. Në sezonin e kaluar, argjentinasi u kritikua jo pak për paraqitjet e tij në Parc des Princes. Eliminimi i hershëm nga UEFA Champions League, shkaktoi një zhgënjim në radhët e tifozëve të PSG-së, të cilët nuk i kursyen publikisht kritikat, si ndaj Messit, po ashtu edhe ndaj Neymar.

Për diçka të tillë, ylli brazilian është pyetur pas triumfit në Superkupën e Francës, të cilën Parisi e fitoi me shifrat 4-0 ndaj Nantes.

Serinë e golave të sfidës e hapi pikërisht Lionel Messi. Më pas, Neymar shënoi dopietë, e po ashtu një tjetër gol u realizua nga Sergio Ramos.

Pyetjes, që këtë sezon mund të shohim një Messi më aktiv me fanellën e Parisit, Neymar nuk iu kursye, por ka dalë menjëherë në mbrojtje të shokut të skuadrës së tij.

“Unë mendoj se njerëzit komentojnë më shumë nga ç’duhet. Ata nuk e dinë se ç’ndodh çdo ditë brenda skuadrës. Messi vazhdon të jetë Messi dhe kjo nuk ka për të ndryshuar. Ai vazhdon ta bëjë ende diferencën dhe arrin të përshtatet mjaft mirë”, janë fjalët e brazilianit.

Më tej, Neymar është shumë i kënaqur që Parisi e nisi sezonin me një trofe të fituar, ndërsa prej tij, dhe dyshes tjetër të sulmit, Messi dhe Mbappe, pritshmëritë mbeten të larta edhe këtë sezon futbollistik. Nuk flitet vetëm për sukseset brenda futbollit francez, por objektivi është që parizienët të fitojnë titullin e Champions League, një trofe që tashmë lakmohet thuajse prej një dekade në Parc des Princes.