PSG merr ofertën e Al Hilal për Mbappe

Sport

Padyshim që merkato e verës është dominuar nga skuadrat e Arabisë Saudite, që kanë tejkaluar çdo kufi në tregun e lojtarëve, sa i përket vlerave të transferimeve apo edhe kontratave. Por ajo që tejkalon çdo imagjinatë, është oferta e Al Hilal drejt Paris SG, për kartonin e Kylian Mbappe. Sipas asaj që raportojnë mediat europiane, klubi arab është gati të paguajë plot 300 milionë euro për yllin e kombëtares franceze, pavarësisht se 24-vjeçarit i skadon kontrata aktuale me Paris SG në qershorin e vitit të ardhshëm. Al Hilal, që më herët gjatë kësaj vere ka afruar emra si Koulibaly apo Milinkovic-Savic, është gati edhe të bëjë çmendurira me kontratën që mund t’i propozojnë Mbappe, ndonëse për momentin nuk raportohet të ketë bisedime me përfaqësuesit e lojtarit. Drejtuesit e Al Hilal kërkojnë të mbyllin fillimisht marrëveshjen me Paris SG, që do të jetë mëse të lumtur të arkëtojnë 300 milionë eurot nga shitja e mundshme e Mbappe, çfarë do ta shndërronte këtë operacion në mëtë shtrenjtit e historisë së futbollit. Në Arabinë Saudite janë të vetdijshëm që sulmuesi kërkon të luajë për Real Madrid dhe janë të gatshëm t’i ofrojnë një kontratë që e sheh francezin të luajë me Al Hilal për vetëm një vit, e më pas, Mbappe mund të lejohet të shkojë drejt Spanjës. Pra, në kontratën e mundshme të 24-vjeçarit me klubin arab, do të parashikohet një klauzolë që e lejon lojtarin të shkojë tek ‘los blancos’, ndërsa për skuadrat e tjera do të ishte shumë e vështirë ta transferonin. Ndërkohë mediat britanike kanë zbuluar edhe një tjetër fakt interesant. Sipas tyre, një klub italian ka marrë informacione rreth Mbappe, por pa nxjerrë një emër se cila prej skuadrave ka ndërmarrë një hap të tillë. Duket thuajse e pamundur që një nga skuadrat e ‘Serie A’ të përballojë financiarisht një si Mbappe, që për momentin, është jashtë planeve të Paris SG, diçka e zyrtarizuar tashmë nga ana e presidentit të kampionëve të Francës, Nasser Al Khelaifi.