Shorti zbuloi që kundërshtari i radhës për PSG në ‘Champions League’ do të jetë Borussia Dortmund, skuadër të cilën drejtori sportiv i parizienëve, Leonardo, thotë se e vlerëson shumë. Braziliani reagoi rreth shortit duke thënë se verdhezinjtë e Dortmund janë kundërshtari i duhur për të provuar forcën e skuadrës në fazën e 1/8-ave, por ai theksoi se pavarësisht njohurive që ka trajneri Tuchel rreth ekipit gjerman, gjërat për PSG nuk kanë për të qenë aspak të lehta. Në intervistën e tij, Leonardo gjeti rastin edhe të kritikonte disa nga gazetarët që ndjekin PSG dhe konferencat për shtyp të trajnerit Tuchel. Ky reagim i brazilianit kishte të bënte me pyejtet rreth merkatos që i bëhen Tuchel sa herë që tekniku i PSG del në konferencë. Kjo gjë nuk i ka pëlqyer Leonardos dhe drejtuesve të tjerë të klubit francez, që u kanë kërkuar gazetarëve të lënë trajnerin të bëjë punën e tij.
Ndërsa sa i përket pyetjeve rreth merkatos së kampionëve të Francës, Leonardo, i cili në fakt është edhe personi përgjegjës për këtë gjë, është shprehur i gatshëm t’u japë gazetarëve çdo përgjigje që ata kërkojnë. Në fund, drejtori sportiv i PSG foli edhe për çështjen Neymar, që pavarësisht kërkesës për t’u transferuar tek Barcelona, vazhdon të jetë pjesë e skuadrës së Tuchel. Leonardo u shpreh se Neymar po përpiqet ta kalojë këtë moment mjaft të vështirë dhe fakti që lojtari vazhdon të japë më të mirën në fushë, tregon se ai mbetet i përqëndruar tek futbolli. Ndërsa sa i përket largimit të tij, Leonardo tha se kushdo që e dëshiron lojtarin, i ka të qarta kërkesat e klubit të PSG.