PSG kërkon të përshpejtojë bisedimet për një marrëveshje me Barcelonën në lidhje me transferimin e Neymarit. Sipas gazetës franceze L’Equipe, gjigandët e Ligue 1, janë të gatshëm ta kompletojnë të ashtuquajturin “transferim të shekullit” brenda javëve të ardhshme. Shtypi francez në fakt raporton prej kohësh se PSG ka pasur kontakte me të atin e 25-vjecarit. Por ndryshe nga raportimet e mëparshme, të mërkurën L’Equipe theksoi se PSG i ka fiksuar një takim brenda kësaj jave me zyrtarë të Barcelonës për të vendosur për kalimin e brazilianit. Kjo gazetë thekson se nëse nuk arrihet brenda kësaj jave, PSG është e gatshme edhe për javën e ardhshme. Shifrat janë po ato të spekuluara ditëve të kaluara, 30 milionë euro në sezon për lojtarin dhe 222 milionë euro të parashikuara nga klauzola e kontratës së Neymarit për të prishur marrëdhëniet me katalanasit. Sipas L’Equipe, te PSG mbizotëron ndjesia se 25-vjecari mund të mërzitet nga tejzgjatja e cështjes dhe në fund të vendosë për të mos ndryshuar skuadër. Prandaj francezët kërkojnë të nxitojnë. Së fundmi takimi i të atit të Neymarit me zyrtarë të klubit nga Parisi i ka trazuar marrëdhëniet e Barcelonës me enturazhin e 25-vjecarit. Ndërkohë në Barcelonë, lojtarë të tipit Gerard Pique, kanë ndryshuar qëndrim duke mbrojtur deklaratat e tyre rreth një qëndrimi të brazilianit. “Ishte thjesht një ndjesi personale, më duhet ta pranoj” – ishte komenti më i fundit nga mbrojtësi i Barcelonës.