Humbja e papritur me Rennes 2-1 duket se ka shqetësuar jo pak trajnerin e PSG, Thomas Tuchel, por edhe drejtuesit e klubit francez, që vazhdojnë punën në merkato për largimin e Neymar. Braziliani ka kërkuar hapur largimin nga PSG, me Barcelonën dhe Real Madrid që mbetet dy alternativat më të mira për sulmuesin.
Megjithatë, pavarësisht kësaj situate, trajneri i PSG, Tuchel, thotë se nuk do të lejojë që Neymar të largohet nga skuadra e tij, pa gjetur fillimisht një emër të denjë për ta zëvendësuar. Sipas teknikut gjerman, largimi i Neymar do të konkretizohet vetëm pasi të jetë arritur marrëveshja me pasuesin e tij.
Për këtë gjë, drejtuesit e PSG raportohen të kenë nisur bisedimet me Juventus për transferimin e Paulo Dybalas. Argjentinasi nuk duket të jetë në planet e trajnerit Sarri dhe bardhezinjtë thuajse e shitën tek Manchester United, e më pas tek Tottenham, por në të dyja rastet transferimi u bllokua për shkak të kërkesave të lojtarit.
Tek PSG nuk duket ta kenë problem të plotësojnë dëshirat e Dybalas, sidomos pas largimin të Neymar, që rëndon jo pak në arkat e kampionëve të Francës. Nëse ky transferim i Dybalas tek PSG do të realizohet, sulmuesi do të rikthehet të ketë një rol prej lideri në skuadër dhe për më tepër, do të vijojë të luajë në kompeticionin më të rëndësishëm për klube, ‘Champions League’.
Sa i përket kostove të operacionit, mediat franceze dhe ato italiane raportojnë se marrëveshja mund të gjendet për 80 milionë euro, shifër që kënaq edhe kërkesat e drejtuesve të Juventus sa i përket kartonit të argjentinasit, të cilin e blenë nga Palermo para 4 vitesh, për shifrën e 40 milionë eurove.