PSG interesohet për trajnerin e Romës, Jose Mourinho

Sport

Ndonëse ka ende edhe një vit kontratë me Romën, mundësitë janë të mëdha që Jose Mourinho të largohet këtë verë nga drejtimi I skuadrës kryeqytetase. Mediat ndërkombëtare raportojnë se është klubi I PSG që në kohët e fundit, e ka vendosur portugezin në krye të listës për të marrë drejtimin e ekipit, pasi në mbyllje të këtij sezoni, pritet të ndajë rrugët me Christophe Galtier.

Disa javë më parë, Mourinho ka refuzuar një ofertë të Chelsea. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që  ai nuk është i hapur të dëgjojë ofertat e klubeve të tjera. Për momentin, prioriteti I 60 vjeçarit është që të vazhdojë të jetë në krye të Romës, mirëpo për të ndërtuar një skuadër konkuruese dhe që të jetë në nivele më të larta edicionin e ardhshëm, Mourinho kërkon shpenzime në merkato.

Një dëshirë e tillë, duket disi e vështirë që t’I plotësohet personazhit në fjalë nga drejtuesit e klubit italian. Pikërisht mungesa e këtij kushti, mund ta bëjë ish-timonierin e Interit që të ndërrojë mendje dhe t’I thotë “po” klubit të PSG.

Për momentin, në “Olimpico”, Mourinho përfiton 7 mln euro në sezon, por në rast kalimi në “Parc des Princes”, atëherë të ardhurat e tij pritet të jenë shumë më të mëdha. Por, nuk është vetëm ky faktori që mund ta bëjë trajnerin në fjalë të pranojë ofertën e parizienëve. Lirshmëria në merkato, pritet të jetë shumë vendimtare në këtë mes, sepse në Parkun e Princave, Special One do të ketë mundësi të shpenzojë pa u sforcuar shumë dhe të blejë futbollistët që dëshiron.

Gjithmonë, referuar raportimeve të huaja, drejtuesit e PSG kanë nisur kontaktet me agjentin e Mourinhos, që është Jorge Mendes. Disa lojtarë të Parisit, janë pikërisht klintë të Mendes, e për këtë arsye, drejtuesit e klubit francez kërkojnë ta shfrytëzojnë këtë aspekt.