Aksi Paris-Barcelonë vazhdon të tensionohet gjithnjë e më shumë, me shkëndijat e para që lindën dy sezone më parë, kur PSG firmosi me Neymar. Por mes zërave që lidhin brazilianin me një rikthim tek ish-skuadra e tij, PSG ka bërë një tjetër lëvizje që ka acaruar jo pak drejtuesit e katalanasve. Kampionët e Francës kanë nënshkruar me talentin 16-vjeçar, Xavi Simmons, i cili pritej që në verën pasardhëse të inkuadrohej tek skuadra e parë e Barcelonës. Talenti holandez ishte pjesë e akademisë së Barcelonës prej 9 vitesh dhe cilësohej si një nga të rinjtë më premtues, pasi kishte spikatur me lojën e tij. Shpesh Simmons ishte krahasuar edhe me emra si Xavi Hernandez apo Sergi Busquets, por tashmë mesfushori i ri do të jetë pjesë e PSG.
Ka qenë pikërisht agjenti i 16-vjeçarit që ka mbyllur këtë operacion, një emër mjaft i njohur si ai i Mino Raiolas. Xavi Simmons do të luajë gjatë këtij sezoni me të rinjtë e PSG, për të kaluar me gjasa në verën e ardhshme tek ekipi i parë, pasi firmosi me kampionët e Francës një kontratë deri në vitin 2022. Nga ana e Barcelonës ende nuk ka një qëndrim zyrtar për të gjithë këtë lëvizje, por burime pranë katalanasve raportojnë se drejtuesit shumë shpejt do të nisin ofensivën për Neymar, madje do të bisedojnë edhe me brazilianin, në mënyrë që vetë ai të këmbëngulë për të mbyllur transferimin e tij sa më shpejt të jetë e mundur. Ndërsa tek PSG nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga kërkesa e tyre prej 222 milionë eurosh për Neymar, për çdo skuadër që pretendon të marrë shërbimet e brazilianit.