Që kur u transferua në ‘Old Trafford’, Alexis Sanchez nuk ka mundur të gjejë formën e tij më të mirë e të përmbushë pritshmëritë që kanë tifozët e ‘djajve të kuq’. Në Angli, shumë bëjnë ironi se sulmuesi tashmë njihet vetëm prej faktit se është futbollisti më i paguar në Premier League, pasi në fushë Sanchez nuk di të lërë gjurmë. Kileni duket krejt ndryshe nga ai që ishtë tek Arsenal. Marrëdhëniet me Mourinhon nuk janë nga më të mirat e mundshme. Edhe më shokët e skuadrës nuk është se ka një raport special, madje në fillim sulmuesi kalonte thuajse të gjithë kohën i vetëm. Kështu për të mos rënduar më shumë situatën e tij, Sanchez po mendon seriozisht largmin nga Manchester United. Madje media të ndryshme nëpër Evropë thonë se 29-vjeçari mund të provojë të largohet nga ‘Old Trafford’ që në janar.
PSG thuhet të jetë skuadra më e interesuar për lojtarin, sidomos tani që Cavanin e mbulojnë spekulimet e largimit. Edhe për Sanchez, kampionët e Francës duket të jenë opsioni më i mirë, pasi PSG është ndër të vetmet klube që mund t’i sigurojë lojtarit një pagë të lartë si në Manchester, si dhe të përballojë shumat e transferimit të tij në Francë. Gjërat për Sanchez mund të kthehen përmbys vetëm nëse tek United ndodhin ndryshime të mëdha, me pozicionin e Mourinhos që nuk është më i sigurtë e me lojtarë që prej kohësh kanë kërkuar largimin. Në një rast të tillë, Alexis do të provonte edhe njëherë të gjente veten tek ‘djajtë e kuq’, që ndoshta kanë nevojë më shumë se kurrë për një Sanchez si ai që luante tek Arsenal.