PSG shpallet zyrtarisht kampione e Francës për të 10-tën herë në histori. Në takimin e javës së 34, të besuarit e Mauricio Pochettinos janë mjaftuar edhe me një pikë ndaj Lens, për të fituar matematikisht titullin, me 78 pikë, 13 më tepër sesa Marseille e vendit të 2-të.
Sfida në Parc des Princes përfundoi me rezultatin 1-1, aty ku për parizienët Messi shënoi golin e 4 sezonal. Mirëpo, me ndeshjen që po shkonte drejt fundit, në shkallët e stadiumit, po vërehej një fenomen i pazakontë. Tifozët filluan të boshatisnin tribunat dhe në momentin e mbylljes së takimit, Parku i Princave ishte thuajse i boshatisur.
Ndonëse duhet të ishin aty për të festuar titullin me skuadrën, tifozët kanë zgjedhur tërësisht mënyrën e kundërt, duke u larguar nga impianti, që në fund, mbeti vetëm me lojtarët. Në këto kushte, PSG nuk e festoi dot titullin në mënyrë të zakonshme, me lojtarët që shkuan të festonin në dhomat e zhveshjes.
Tifozët, ende nuk e kanë kapërdirë eliminimin nga Champions League dhe si pasojë vazhdojnë protestat ndaj ekipit të tyre, diçka që ka kulmuar me ditën e titullit kampion. Mirëpo, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për situatën e krijuar jashtë Parc des Princës, aty ku tifozë të panumërt kishin mbushur rrugët për të festuar këtë arritje të skuadrës së drejtuar nga Mauricio Pochettino.