PSG fiton ndaj Man.City

Sport

PSG ia del të fitojë një ndeshje jetike në Champions League. Në javën e 7 të Fazës së Ligës, kampionët e Francës mposhtën me rezultatin 4-2 skuadrën e Manchester Cityt. Në fakt, dueli i luajtur në Parc des Princes ishte mëse i rëndësishëm për të dyja skuadrat në fjalë, për shkak të klasifikimit të tyre në tabelën e renditjes.

Me pjesën e parë që u mbyll pa gola, pas rikthimit në fushë, në harkun e 3 minutave, 50 dhe 53, City e pa veten në epërsinë e dy glove, me anë të Grealish dhe Haaland, duke krijuar idenë se fitorja do të ishte e tyrja. Megjithatë, vetëm 180 sekonda pas të dytit të anglezëve, Parisi ngushtoi diferencën me anë të Ousmane Dembele, kurse në të 60-tën, vendasit realizuan edhe golin e barazimit me Barcola.

Të besuarit e trajnerit Luis Enrique vendosën të mos ndaleshin aty, por besuan tek përmbysja e ndeshjes dhe ia dolën mbanë me sukses. Në të 78-tën, Joao Neves realizoi të tretin, kurse në të tretën e shtesës, Gonçalo Ramos shënoi edhe të katërtin për Parisin.

Parisi ia del të fitojë një ndeshje, të cilën ishte duke e humbur me dy gola në disavantazh, për herë të parë në historinë e klubit në UEFA Champinos League. Ndërsa në të gjitha kompeticionet, kjo është hera e parë që nga viti 2012, që Parisi, në fund, fiton një ndeshje, të cilën ishte duke e humbur me disavantazhin e dy golave.

Sa i përket Manchester Cityt, për kampionët e Premier Legaue, janë thyer të tjera rekorde negative. Kjo ishte hera e parë në 115 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet, që City humbi një ndeshje, gjatë së cilës gjendej në epërsinë e dy golave. Po ashtu, kjo ishte hera e 9-të këtë sezon në të gjitha kompeticonet, që City dështon të fitojë një ndeshje, ku kishte kaluar i pari në avantazh.

Nuk mbyllet këtu. Në duelin me Parisin, City ia doli të kishte vetëm 36.9 qarkullim të topit, dhe kjo është vetëm hera e dytë në karrierën e trajnerit Pep Guardiola në Champions League, që një kundërshtar e qarkullon topin më shumë sesa skuadra e tij. Për herë të parë, ka ndodhur sërish ndaj trajnerit Luis Enrique, atëherë kur ky i fundit drejtonte Barcelonën në Nëntor të 2016-tës.

Falë një fitoreje të tillë, Parisi është ngjitur në vendin e 22 të tabelës në kuotën e 10 pikëve dhe tani, për t’u kualifikuar në zonën play-off, mjafton të fitojë ndeshejn e fundit me Stuttgartin në tranfertë.

Nga ana tjetër, City ka zbritur në vendin e 25 me 8 pikë, jashtë zonës që shkon në Play-off. Megjithatë, anglezët kanë ende edhe një mundësi të fundit për t’u kualifikuar. Cityzens duhet të fitojnë me çdo kusht në shtëpi ndaj Club Brugge dhe më pas të presin se si do të dalin rezultatet e ndeshjeve të tjera.