PSG dhe Dortmund me një këmbë në raundin tjetër, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Juventusin

Sport

PSG duke me një këmbë në raundin e 1/8-ave të UEFA Champions League. Në ndeshjen e parë të play-off ndaj Brest në transfertë, kampionët e Ligue 1, arritën të fitonin me një rezultat bindës, 3-0, që nuk lë asgjë për dyshime në ndeshjen e kthimit.

Të besuarit e Luis Enriques shënuan dy gola në pjesën e parë, me anë të Vitinhas dhe Dembele. Në të dytën, do të ishte sërish Dembele ai që realizoi edhe të tretin për skuadrën e tij, duke dëshmuar edhe një herë tjetër formën e jashtëzakonshme që francezi po kalon. Në vitin 2025, Ousmane Dembele është lojtari me më shumë gola të realizuar në 5 ligat kryesore të Europës, me 15, duke lënë pas vetes Kylian Mbappe në vendin e dytë me 10 gola.

Sakaq, fitore bindëse në ndeshjen e parë të fazës play-off arriti edhe Borussia Dortmund, që mposhti në transfertë 3-0 skuadrën e Sporting Lisbone. Verdhezinjtë, arritën të thyenin pa shumë vështirësi skuadrën kampione në fuqi të Portugalisë në stadiumin Jose Alvalade, falë golave të shënuar nga Guirassy, Gros dhe Adeyemi. Në këtë mënyrë, skuadra gjermane thuajse ka kompletuar kualifikimin mes 16 më të mirave të Champions League.

Fitore arriti edhe Juventusi, që në shtëpi mposhti 2-1 skuadrën e PSV, falë golave të Ëeston McKennie dhe Samuel Mbangula, teksa Ivan Perisiç barazoi përkohësisht për miqtë. Megjithatë, të Mërkurën e 19 Shkurtit, ndryshe nga Parisi dhe Dortmundi që duken me një këmbë në raundin tjetër, nuk pritet të jetë aq e lehtë situata për Juventusin në ndeshjen e kthimit.