PSG barazon me Monacon, Tuchel kërkon sqarimin për golin e tretë të monegaskëve

Sport

Pas 6 fitoreve radhazi në kampionat, PSG është ndalur 3-3 nga Monaco në ‘Parc des Princes’, në një ndeshje që dhuroi spektakël, gola dhe polemika. Mjaftuan vetëm 3 minuta lojë që kampionët në fuqi të Francës të kalonin në avantazh me Neymar. Megjithatë, Monaco kishte ardhur e vendosur në kryeqytetin francez. Gelson Martins në minutën e 7 dhe Ben Yedder në të 13-ën do të përmbysnin rezultatin, duke u treguar parizienëve se nuk kishin ardhur për shëtitje në ‘Parc des Princes’. Por edhe tek PSG reagimi do të vinte shpejt, madje brenda pjesës së parë. Një autogol i Ballo Toure dhe penalltia e Neymar do të kthenin skuadrën e Thomas Tuchel në avantazh përpara se të shkonin në dhomat e zhveshjes. Gjatë pjesës së dytë, trajneri Roberto Moreno i Monacos do të hidhte në fushë sulmuesin Slimani, i cili në të 70-ën minutë do të realizonte një gol që ka shkaktuar jo pak polemika në Francë. Aksioni nis me disa veprime të mira të Gelson Martins, i cili provon të vertikalizojë tek Slimani. Topi devijohet, por gjithësesi arrin tek sulmuesi i Monacos, që bën detyrën dhe realizon. Por pozicioni i tij është qartësisht më i përparuar. Megjithatë, pas diskutimit me sistemin ‘VAR’, gjyqtari konfirmon golin si të rregullt.

Në fund të ndeshjes, trajneri i PSG, Thomas Tuchel është shfaqur i pakënaqur me vendimin e arbitrave, duke kërkuar sqarim për atë moment. Sipas rregullores, në raste të tilla, ku ka vetëm devijime nga mbrojtja kundërshtare, nëse sulmuesi është më i përparuar, atëherë kemi të bëjmë me pozicion të parregullt. Por gjyqtarët e sistemit ‘VAR’ në këtë ndeshje, konsideron devijimin e Marquinhos si një pasim të rregullt, duke bërë që goli i Slimani të konsiderohet i rregullt. Në konferencën për shtyp, Tuchel bëri ironi duke përmendur rregulloren e duke thënë më pas se ndoshta është ai që e ka gabim, prandaj duhet që dikush nga t’ja sqarojë edhe njëherë situatën.