PSG arrin akordin me mbrojtësin e Bayern Munich, Lucas Hernandez. Francezi, është i lidhur me klubin bavarez deri në verën e 2024-tës, teksa përgjatë kohëve të fundit, është përfolur se palët do të rinovonin kontratën mes tyre. Madje, Bayerni kishte gati një propozim 5 vjeçar për futbollistin në fjalë, por që nga momenti kur klubi parizien doli në skenë, situata ka marrë tjetër rrjedhë.
Rinovim të kontratës nuk do të ketë. Mediat franceze, por jo vetëm, e bëjnë fakt të kryer se Lucas do të largohet nga Allianz Arena këtë verë, pasi ai ka arritur një marrëveshje paraprake me kampionët e Francës.
Për detaje më të hollësishme nuk bëhet e ditur, por aventura e mbrojtësit në radhët e gjigantëve të Bundesligës konsiderohet e përfunduar dhe transferimi i tij në “Parc des Princes” mund të konkretizohet përgjatë muajit Qershor.
Vëllai i mbrotjësi të Milanit, Theo, u bashkua me Bayernin në 2019-tën, e përgjatë këtyre 4 sezoneve aventura e tij në radhët e Bayernit është shoqëruar me ulje-ngritje të shumta, si pasojë e dëmtimeve të herë pas hershme të lojtarit.
Më tej, përveç marrëveshjes paraprake me Lucas Hernandez, PSG po punon ende për t’u përforcuar në prapavijë. Përveç Milan Skriniar të Interit, me të cilin, çështja e transferimit duket e mbyllur, klubi parizien po përpiqet të gjejë gjuhën e përbashkët edhe me Sportingun e Lisbonës, për mbrojtësin Manuel Ugarte.