PSG, 60 mln euro Skriniar

Sport

PSG po vijon të kërkojë me ngulm shërbimet e Milan Skriniar. Interi për momentin po i qëndron kërkesës fillestare prej 80 milion eurosh për kartonin e sllovakut, një shifër që tek parizienët nuk e shohin të përshtatshme pavarësisht dëshirës për ta patur në skuadër qëndërmbrojtësin 27 vjecar. Gjithsesi PSG disa hapa përpara i ka kryer, sipas mediave ndërkombëtare, klubi francez e ka rritur ofertën nga 50 në 60 milion euro, një ofertë që është ende larg kërkesës së zikaltërve por është një shenjë që kampionët e Francës nuk kanë ndërmend ta braktisin pistën “Skriniar”. Përsa i përket marrëveshjes me vetë futbollistin, raportohet se ka një dakordësi për një shifër prej 7.7 milion eurosh në sezon.

Jemi vetëm në muajin qershor dhe ka ende kohë deri në fundin e merkatos, megjithatë duke marrë parasysh edhe fjalët e drejtorit sportiv të Interit Marotta,  i cili deklaroi se një mbrojtës do të largohet, gjasat janë të shumta që Skriniar të transferohet në kryeqytetin e Francës, me PSG që është njëkohësisht në garë edhe për një tjetër qëndërmbrojtës, Sven Botman. Sllovaku mbërriti tek zikaltërit në 2017 nga Sampdoria për 34 milion euro. Ai ka zhvilluar 215 ndeshje me Interit duke shënuar 11 gola, ndërsa ka fituar 1 titull kampion, 1 Kupë dhe një Superkupë.