Pse Mavraj vesh fanellën gjermane?

Sport

mavraj2.jpg

Lajmi i djeshëm se futbollisti i kombëtares Mërgim Mavraj kishte refuzuar të vishte uniformën në të cilën reklamohej birra “Peja” – një ndër sponsorat e ekipit, po bën bujë nëpër të gjitha gazetat.

A është e drejtë, apo jo? A duhet gjykuar mbrojtësi për këtë zgjedhje, të ndikuar nga besimi i tij fetar? Në fakt nuk na takon neve të vendosim për një çështje të tillë, edhe pse tashmë shumëkush ka shprehur mendimin e tij nëpër rrjetet sociale.

Ajo që mund të komentojmë në këtë rast është se nëse vet sponsori i sipërpërmendur, drejtues të FSHF apo stafi i Gianni De Biasit nuk shfaqin problem, atëherë nuk ka asgjë për t’u diskutuar.

Përderisa nga kampi i kuqezinjve ende nuk janë parë shenja ‘konflikti’, atëherë na mbetet të themi të gëzuar që sa mirë që ende nuk kemi arritur nivelin e futbollit/biznes europian, kur shpesh futbollistët më në zë të momentit janë të detyruar të zbresin në fushë edhe në ndeshjet miqsore, vetëm për të nxjerrë në pah markat e këpucëve apo të uniformave që veshin.

Pa dashur t’i hyjmë diskutimit mbi një zgjedhje personale në aspektin fetar, duam të përmendim vetëm një detaj të vogël që na vjen nga ndjekës të faqes sonë:

Ekipi i Fc Koln, aty ku Mavraj luan aktualisht, ka si sponsor kryesor në uniformën e tij markën “REWE”, që në të vërtetë është një nga markat ushqimore më të njohura në qytet. Natyrshëm na vjen mendimi se kjo kompani tregton edhe produkte me alkool, apo produkte që vijnë nga mishi i derrit. T’i dijë Mavraj këto gjëra, apo ekziston mundësia që të mos ketë informacion?