Protestat e ashpra ndaj arbitrit të ndeshjes Manchester City-Tottenham, mund t’i kushtojnë rëndë sulmuesit Erling Haaland. Në minutën e 96 të sfidës, kur rezultai ishte 3-3, gjyqtari Simon Hooper ndërpreu një aksion të pakuptueshëm të Cityzens, pasi më herët kishte lejuar avantazhin e lojës, duke i hequr kësisoj mundësinë futbollistit Jack Grealish për të shënuar golin e katërt.
Ishte pikërisht ky moment, kur një pjesë e mirë e futbollistëve të drejtuar nga Pep Guardiola shpërthyen në protestë, por ai që nuk u kursye ishte Haaland, i cili u ndëshkua me karton të verdhë.
Sikurse shkruajnë mediat e huaja, Haaland i ka vijuar edhe më pas ofendimet ndaj arbitrit Hooper, duke përdorur një fjalor të rëndë, ndërsa është dashur ndërhyrja e Guardiolës për të qetësuar lojtarin norvegjez.
Thënë këtë, komisioni i Disiplinës pranë Federatës Angleze të Futbllit, mund të nisë një hetim për një çështje të tillë dhe sulmuesi shtatlart, mund të pezullohet deri në disa ndeshje.
Deri në fund të Dhjetorit, Manchester City do të luajë 5 ndeshje në Premier League dhe një mungesë e Haaland mund të ishte një problem për vete për kampionët e Anglisë. Ashtu sikurse një vit më parë, edhe këtë sezon, Haaland vijon të bëjë diferencën sa i përket realizimit të golave në skuadrën e Cityt. Deri më tani, në 21 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet, shtatlarti i ofensivës ka shënuar 19 gola, e po ashtu ka dhënë edhe 5 asiste për shokët e skuadrës.