Lajme të këqija për Chievon në Serie-A. Verdh-e-blutë rrezikojnë seriozisht të bien nga kategoria kjo pasi një cështje gjyqësore është rihapur për Presidentin Luca Campadelli dhe vetë shoqërinë sportive. Chievo akuzohet se së bashku me Cesenan kanë abuzuar duke krijuar kontrata fiktive me angazhimet e lojtarëve të grupmoshave minorene, kjo për periudhën 2014-2017. Në fakt kjo cështje qe çuar në gjykatë më 25 korrik, por qe rrëzuar për moskopetencë dhe mungesë auditimi të shoqërisë sportive Chievo. Asokohe Prokuroria pati kërkuar penalizim me -15 pikë për sezonin 2017-2018. Rreth dy muaj më vonë dhe ja ku jemi sërish me të njëjtat akuza, por për sezonin që po luhet.
Prokuroria ka plotësuar kërkesat gjyqësore dhe ka ulur në bankën e të akuzuarve vetë Presidentin Campadelli. Akuzat fikse kanë të bëjnë me “vlerësime subjektive të shërbimeve futbollistike të minorenëve të grupmoshës 15-16 vjeç”. Prokuroria dyshon se veprime të tilla janë bërë për të fryrë apo justifikuar lëvizje ekonomike në bilancet e klubeve, si të Chievos, po ashtu edhe të Cesenas. Te Chievo ndërkohë mbrohen duke thënë se për vlerat e pretenduara, Prokuroria i referohet disa web-site-ve krejt jo-profesionale. Gjithsesi Prokuroria në gjykatë ka kërkuar heqjen e 15 pikëve për sezonin aktual, çka nëse realizohet, Chievo është automatikisht e rënë në Serie-B.