Nuk kanë fund telashet për Juventusin. Pasi Paul Pogba rezultoi pozitiv në testet anti-doping, tashmë një tjetër lojtar i Zonjës së Vjetër është piketuar nga drejtësia. Sikurse njoftojnë mediat përtej detit, për Prokuroria e Torinos, ka nisur një hetim për futbollistin Nicolo Fagioli. Mesfushori akuzohet se ka luajtur baste online të sporteve të ndryshme, në platforma të paligjshme.
Në rrethana si këto, 22 vjeçari mund të pezullohet deri në 3 vite nga aktiviteti, e si pasojë, karriera e tij do të vendosej në rrezik. Më tej, sipas raportimeve, dosja e futbollistit është hapur që në muajin Shtator, ndërsa gjykimi i tij do të jepet në Nëntor, atëherë kur Fagioli do të mësojë përfundimisht fatin e tij.
Duke u bazuar në informacionet e shumta, kjo është është një situatë, ku futbollisti do të përballet i vetëm me drejtësinë, sepse përgjegjësia në këtë rast konsiderohet individuale, ndërsa klubi i Juventusit nuk rrezikohet nga asgjë.
Fagioli, një produkt i akademisë së Zonjës së Vjetër, vlerësohet konsiderueshëm nga trajneri i skuadrës Massimiliano Allegri. Këtë sezon, mesfushori është aktivizuar në 6 ndeshje të kampionatit dhe në të gjitha rastet e ka nisur si titullar.
Në momentin kur të mësojë fatin e tij nga drejtësia, nëse Fagioli do të shpallet fajtor, atëherë kjo do ta detyrojë Juventusin që ta ketë të domosdoshme ndërhyrjen në merkaton e Janarit, duke qenë se Zonja e Vjetër, tashmë duhet t’i bëjë llogaritë edhe pa Paul Pogba.