Problemet fizike të lojëtarëve të kombëtares tonë shqetësojnë para ndeshjes me Islandën

Sport

Kombëtarja shqiptare e futbollit vazhdon përgatitjet në Frankfurt para ndeshjeve të vlefshme për eleminatoret e Euro 2020, të shtunën ndaj Islandës dhe 3 ditë më vonë kundër Moldavisë. Duket se në këmbët e kuqezinjve ka nisur të ndjehet lodhja e një edicioni të gjatë. Kështu mund të shpjegohet edhe fakti që disa prej lojtarëve kanë shfaqur probleme fizike pikërisht me fundin e sezonit nëpër klubet respektive. Pas Strakoshës, Gjimshitit, Memushajt e Binakut, të cilët u tërhoqën nga lista prej dëmtime, tashmë ka të tjerë të cilët kanë pasur shqetësime të karakterit fizik.


Kështu, Amir Abrashi është dëmtuar të hënën pasdite në stërvitjen e parë të zhvilluar në Frankfurt dhe gjatë të martës në dy seancat nuk ka qenë pjesë e grupit. Gjatë paradites ai u la pushim, ndërsa gjatë pasdites nisi vrapimet e lehta përreth fushës. Shqetësuese është shfaqur disi situata edhepër Ardian Ismajlin, një prej lojtarëve më në formë të prapavijës kuqezi. Mbrojtësi ka një problem muskulor e për të mos rrezikuar, është vendosur që në seancën e pasdites të stërvitej veçmas. Ai ka bërë stërvitje të diferencuar, duke u përqendruar më shumë te vrapimet dhe ushtrimet rikuperuese, në mënyrë që të kthehet sa më shpejt i gatshëm për ndeshjen ndaj Islandës, ku është menduar si pikë kyçe në mbrojtje.


Nga ana tjetër, trajneri Reja mësohet se nuk ka vendosur ende plotësisht skemën, që do të përdorë në ndeshjen përballë Islandës. Ndonëse duket i prirur në vendosjen e tij të preferuar 3-5-2. Sidoqoftë, këto ditë tekniku italian ka pasur mbledhje të vazhdueshme me stafin për të analizuar taktikisht kundërshtarët. Por mbi të gjitha për të diskutuar se në çfarë mënyrë do ta përballojnë sfidën e parë në tokën islandeze.