Problemet e Barcelonës jashtë fushe; tërheqja e Messit mund t’i gjejë katalanasit të papërgatitur

Sport

Me 2 pikë avantazh ndaj Real Madrid, duket se Barcelona po i drejtohet titullit të tretë në po kaq sezone radhazi në ‘La Liga’. Megjithatë, situata në brendësi të klubit katalanas nuk është aspak e mirë. Sipas një analize të bërë së fundmi nga mediat e huaja, ‘tatëpjeta’ për Barcelonën filloi që kur Josep Maria Bartomeu u zgjodh në krye si president i klubit. Në 2015-ën, ai emëroi Pep Boada si kreun e akademisë dhe gjërat nuk shkuan ashtu siç mendohej. Klubi ka shpenzuar më shumë se 230 milionë paund për lojtarë mesatarë, të cilët nuk kanë zhvilluar më shumë se 37 ndeshje gjatë një sezoni me fanellën ‘blaugrana’. Këtu llogariten emra si Arda Turan, Malcom apo Paulinho, për të cilët Barcelona shpenzoi jo pak para për t’i afruar. Transferimi i Coutinhos kushtoi shumë për arkat e katalanasve, por pas 1 viti e gjysmë nga ajo lëvizje, drejtuesit e shohin veten në vështirësi për t’i gjetur një skuadër tjetër brazilianit të paktën me gjysmën e çmimit që shpenzuan për ta marrë nga Liverpool. Dikur, akademia e Barcelonës lavdërohej si më e mira në botë, por sot, ‘La Masia’-s i ka mbetur vetëm emri. Ansu Fati është i vetmi produkt i saj që mund të vlerësohet si cilësor apo i dobishëm për skuadrën, teksa pjesa tjetër vijon të luajë diku tjetër. Edhe numri i debutimeve të të rinjve ka rënë ndjeshëm, me skuadrën e parë që vijon të udhëhiqet nga ‘garda e vjetër’ si Lionel Messi, Gerard Pique, Jordi Alba, Luis Suarez apo Sergi Busquets, të gjithë mbi moshën 30-vjeçare. Kontributi i Messit tek golat e Barcelonës vijon të rritet, çfarë është një tregues i qartë se skuadra vijon të jetë e varur nga argjentinasi dhe ky, është ndoshta problemi më i madh që kanë drejtuesit e klubit. Sezonet e fundit, Messi nuk ka qenë ‘imun’ ndaj dëmtimeve dhe momenti i largimit, i tërheqjes së tij po afrohet akoma më shumë dhe tek Barcelona, ende nuk e kanë një plan të qartë se si do ta përballojnë largimin e njeriut që shkroi kapitullin më të ‘artë’ të skuadrës katalanase.