Probleme tek Barcelona, dëmtohen dy lojtarë të formacionit

Sport

Pauza e kombëtareve nuk ka sjellë aspak lajme të mira për Barcelonën. Roland Araujo dhe Jules Kounde, dy lojtarë të formacionit blaugrana janë dëmtuar me përfaqësueset e tyre respective.

Në miqësoren që Uruguaji zhvilloi ndaj Iranit, Araujo u detyrua të dilte nga fusha e lojës, pas një tërheqjeje muskulore në kofshë. Nga ekzaminimet e kryera, mbrojtësi i qendrës pritet të jetë në infermieri për një periudhë nga 6 deri në 7 javë. Kjo do të thotë se ai nuk do jetë i gatshëm për Barcelonën deri në fund të vitit 2022.

Që nga 1 tetori, e deri në 9 nëntor, Barcelona do luajë 12 ndeshje në total, duke filluar nga ajo ndaj Mallorcas, e deri ndaj Osasunas në 9 nëntor. Mes këtyre sfidave, Araujo nuk do jetë i gatshëm ndaj disa ndeshjeve shumë të rëndësishme, sikurse janë ato ndaj Interit dhe Bayernit në Champions League. Po ashtu edhe ndaj Real Madrid në La Liga.

Më tej, sa i përket mbrojtësit tjetër, Jules Kounde, edhe francezi pësoi një tërheqje muskulore, në sfidën përballë Austrisë. Sidoqoftë, dëmtimi i ish-lojtarit të Sevillas nuk është aq serioz sa ai i Araujos. Kounde pritet të jetë jashtë fushave të lojës për një periudhë nga 3 deri në 4 javë.

E sigurt duket mungesa në ndeshjet ndaj Mallorcas, Interit, Ceita Vigos dhe Interit në kthim. Ndërsa në dy sfidat e tjera, atë ndaj Real Madrid dhe Villarreal, ekziston një mundësi që mbrojtësi të rikthehet.

Në këto kushte, trajneri Xavi Hernandez pritet që të gjejë një tjetër zgjidhje për të përballuar fluksin e përballjeve në vijim, që në njëfarë mënyre mund të vendosin shumë për vazhdimësinë e sezonit.

Numri një i pankinës në Camp Nou, tashmë mund të rreshtojë një mbrojtje të përbërë nga Eric Garcia, Andreas Christensen, Gerard Pique dhe Marcos Alonso.