Barazimi 1-1 me Slavia Prahan në ‘San Siro’ ka qenë një rezultat i vështirë për t’u përtypur për Interin. Madje jo vetëm për tifozët, por edhe për disa lojtarët, që siç zbulon ‘Gazzetta dello Sport’ kanë patur edhe tension mes tyre. Më saktësisht, Romelu Lukaku dhe Marcelo Brozovic kanë patur nevojë për ndërhyrjen e të tjerëve për të mos lejuar degjenerimin e situatës. Brozovic ishte një ndër lojtarët më të kritikuar dhe u vlerësua si një nga më të dobëtit për Interin në fushën e lojës. Por kroati mesa duket e ka patur të vështirë për pranojë përgjegjësinë e plotë, teksa thuhet se mesfushori ka akuzuar Lukakun edhe për rastin e shpërdoruar me kokë në fundin e takimit. Sulmuesi belg u ka kërkuar shokëve të skuadrë një lojë sa më sulmuese dhe jo të lejojnë kundërshtarin të mendojë se ‘u dridhen këmbët’.
Brozovic i ka marrë shumë keq këto fjalë të Lukakut, duke i konsideruar si personale, çfarë edhe ka rritur tensionin në dhomat e zhveshjes. Tashmë mbetet për t’u parë se si do të zgjidhet situata nga trajneri Antonio Conte dhe kapiteni Samir Handanovic, që do të kerkojnë t’i japin një zgjidhje sa më të shpejtë këtyre tensioneve që vijnë në një moment delikat për Interin. Ndërsa mediat italiane nuk kanë vonuar të kujtojnë se kjo nuk është hera e parë që Brozovic acarohet me sulmuesin kryesor të skuadrs. Kohë më parë është folur se ka patur tension edhe mes tij dhe Mauro Icardit, në periudhën kur argjentinasi ishte ende kapiten i zikaltërve.