Probleme mes Leonados dhe trajnerit Tuchel për çështjen e merkatos

Sport

Vetë pak ditë pasi u largua nga detyra e drejtorit sportiv tek Milani, Leonardo bëri rikthimin e tij tek PSG. Braziliani nuk është ndër personazhet më të preferuara në kryeqytetin francez dhe pjesë e kësaj liste mund të jetë bërë edhe trajneri Thomas Tuchel. Siç raporton e përditëshmja franceze, “L’Equipe”, Leonardo dhe Tuchel kanë qasje të ndryshme sa i përket merkatos. Mes tyre kanë nisur edhe përplasjet e para, që vijnë për lojtarin që do të përforcojë mesfushën e PSG. Trajneri Tuchel ka kërkuar të afrojë në skuadrën e tij një lojtar të cilin ai e njeh mjaft mirë si Julian Weigl. 24-vjeçari është pjesë e Dortmund dhe mund të transferohet drejt PSG për jo më pak se 25 milionë euro. Nga ana tjetër, Leonardo pretendon të sjellë një emër më të madh, por që do të kushtojë shumë më shumë.

Bëhet fjalë për Milinkovic-Savic, për të cilin Lazio nuk pranon të hyjë në bisedime pa një ofertë fillestare prej 65 milionë eurosh. Mesfushori serb ka qenë ndër objektivat e preferuar të Leonardos edhe kur ky i fundit ishte ende në detyrë tek Milan, por vetëm tani janë krijuar mundësitë ekonomike për të marrë shërbimet Milinkovic-Savic nga Lazio. Mbetet për t’u parë se si do të procedojnë dy nga emrat më të rëndësishëm në rolet drejtuese të PSG, teksa “L’Equipe” nuk përjashton ndërhyrjen e presidentit në rast se gjendja do të vijojë të jetë e njëjtë.