Problem muskulor për kapitenin e Interit, Lautaro Martinez

Sport

Problem muskulor për Lautaro Martinez. Pasi ishte grumbulluar me kombëtaren argjentinase për dy ndeshjet  e muajit Mars, ndaj Uruguajit dhe Brazilit, sulmuesi i Interit ka shfaqur probleme fizike. Kontrollet e kryera nga stafi mjekësor, kanë dalë në përfundimin se kapiteni i Interit ka një lëndim të lehtë muskulor në kofshën e majtë.

Si pasojë, pa dashur të përkeqësojë më tepër gjendjen e tij, 27 vjeçari është larguar nga grumbullimi me përfaqësuesen dhe ka nisur menjëherë rrugën drejt Milanos. Stafi mjekësor i Interit do të jetë çdo ditë në dispozicion të lojtarit, për të analizuar edhe më mirë gjendjen e tij fizike.

Synimi është që Lautaro të jetë gati kur të rikthehet futbolli i klubeve. Në ndeshjen e parë pas pauzës së kombëtareve, Interi do të luajë ndaj Udineses në kampionat, e pastaj vjen gjithashtu edhe angazhimi në çerekfinalen e Champions League ndaj Bayern Munich. Nuk duhet harruar njëkohësisht edhe gjysmëfinalja e Kupës ndaj Milanit, sepse zikaltërit janë aktivë në të treja kompeticionet.

Në kushte si këto, në kampin zikaltër, me në krye trajnerin Simone Inzaghin, tani duhet të shpresojnë që mungesa e Lautaros të mos jetë e gjatë, sepse do të sillte telashe serioze për skuadrën. Afërsisht 10 ditë konsiderohen të mjaftueshme për El Toron që të rikuperohet plotësisht.