Pritet vetëm zyrtarizimi, një lojtar drejt largimit nga Real Madrid

Sport

Telenovela e Dani Ceballos në radhët e Real Madrid po vjen drejt fundit. Mediat pranë klubit madrilen raportojnë se 3 javë më parë, Reali i ka propozuar lojtarit një rinovim të kontratës, mirëpo ky i fundit nuk i ka pranuar kushtet, pasi ndër të tjera, ka kërkuar edhe një pagë më të lart. Si pasojë Dani ka vendosur që në fund të këtij edicioni futbollistik, t’i japë fund aventurës së tij në “Santiago Bernabeu”.

Pjesë e kampionëve të Europës që prej 2017-tës, Ceballos asnjëherë nuk arriti të siguronte një vend në formacionin e Realit, ndonëse prej potencialit të tij pritej shumë.

Sidoqoftë, epoka e mesfushorit në gjirin e 14 herë kampionëve të Europës mund të konsiderohet e përfunduar dhe për ta konfirmuar këtë pritet vetëm zyrtarizimi i çështjes nga të dy palët.

Për të ardhmen e Ceballos, ka informacione të ndryshme, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që lojtari të ndërrojë skuadër, por jo qytet. Atletico Madrid po ndjek me vëmendje situatën e mesfushorit dhe dëshiron që ta ketë 26 vjeçarin pjesë të organikës për vijimësinë.

Po ashtu, edhe Real Betis është një tjetër mundësi. Për Ceballos do të ishte një rikthim në klubin andaluzian, për më tepër që është edhe një tifoz i klubit në fjalë.

Mirëpo, Ceballos po vëzhgohet edhe nga klubet e mëdha italiane. Duke marrë parasysh që në verë spanjolli do të jetë një lojtar i lirë, atëherë konkurenca për të siguruar shërbimet e tij pritet të jetë e ashpër në tregun e merkatos.

Me Ceballos që po paketon valixhet, në tjetër drejtim po shkon situata e Marco Asensios. Anësori i sulmit ka nisur negociatat me Real Madrid për të rinovuar kontratën edhe për disa sezone të tjera.