Pretendimet e Paulo Dybala për rinovimin me Juventus; argjentinasi kërkon 15 mln euro në sezon

Sport

Deklaratat e pak ditëve më parë të Paulo Dybala-s se do t’i pëlqente të luante një ditë për Barcelonën, ka bërë që drejtuesit e Juventusit të vihen në lëvizje sa i përket çështjes së rinovimit, që në fakt po merr më shumë kohë se sa ishte menduar. Në intervistën e tij, Dybala shprehej se është i lumtur me kohën e tij tek Juventus dhe se kërkon të provojë se e meriton të mbetet në historinë e klubit bardhezi. Por nga ajo që kanë zbuluar mediat italiane së fundmi, edhe pretendimet e argjentinasit për kontratën e re janë shumë më të larta se sa ishte menduar. Sulmuesi 26-vjeçar kërkon një rritje rroge deri në 15 milionë euro në sezon, me Juventusin që mund të garantojë për momentin deri në 12 milionë euro. Dybala aktualisht paguhet rreth 7,3 milionë euro në sezon, duke qëndruar prapa emrave si Cristiano Ronaldo, Gonzalo Higuain apo Miralem Pjanic. Sa i përket kontratës së re, nëse do të arrihet një akord për termat financiare, kohëzgjatja e qëndrimit të Dybala-s tek Juventusi mund të shtyhet deri në fundin e sezonit 2024/2025. Vetë lojtari zbuloi më herët se gjatë merkatos së kaluar, refuzoi disa oferta nga Manchester United, Tottenham apo PSG, pasi synon që të provojë vlerat e tij tek kampionët e Italisë. Gjithësesi, argjentinasi i ka të qarta idetë për kontratën e re. Nëse Juventus do t’i shohë të tepruara këto kërkesa të 26-vjeçarit, atëherë Dybala mund të marrë në konsideratë transferimin diku tjetër në të ardhmen, diçka që drejtuesit e torinezëve po përpiqen ta shmangin.