Nasser Al-Khelaifi ka folur për situatën e Kylian Mbappe. Duke qenë se lojtari francez është në muajt e fundit të kontratës me PSG, e ardhmja e tij ka ngjallur shumë diskutime në mediat ndërkombëtare. Ndryshe nga sa u raportua fillimisht, që sulmuesi kishte arritur marrëveshje me Real Madrid për t’u transferuar me parametra zero në Santiago Bernabeu në përfundim të këtij sezoni, përfaqësuesit e futbollistit e mohuan diçka të tillë, duke thënë se lojtari nuk ka arritur marrëveshje me asnjë klub, por për momentin është i angazhuar tërësisht me PSG për të dhënë më të mirën e tij në fushën e lojës dhe është i përqendruar në arritjen e objektivave.
Në një situatë si kjo, nuk ka qëndruar pa komentuar edhe presidenti klubit parizien, Nasser Al-Khelailfi, i cili ka thënë dëshira e tij është që lojtari të qëndrojë, teksa më tej ka zbuluar se mes tij dhe sulmuesit ka një marrëveshje personale, që shkon përtej kontratës së firmosur me klubin.
“Sigurisht që dëshira ime është që Mbappe të qëndrojë. Ai është lojtari më i mirë në botë dhe PSG është klubi më i përshtatshëm për të. Mbappe është në qendër të gjithçkaje këtu. Kylian nuk është vetëm një lojtar i madh, por është gjithashtu edhe një njeri i madh. Bashkë kemi një marrëveshje prej xhentëlmenësh, që nuk mbahet nga paratë. Është një marrëveshje mes presidentit të klubit, drejtorit sportive dhe trajnerit. Kështu që është më tepër sesa një marrëveshje e nënshkruar”, ka deklaruar Al-Khelaifi, i cili ka lënë gjithashtu të kuptohet se nuk përjashtohet mundësia që Mbappe të rinovojë.
Sakaq, në mediat e huaja, është përciellë gjithashtu se Real Madrid nuk është i vetmi klub që dëshiron shërrimbet e Mbappe. sikurse bëhet me dije, pjesë e garës është gjithashtu edhe Liverpool. Vetë lojtari është një admirues i klubit të kuq, por në veçanti nëna e tij. Thënë këtë, nuk përjashtohet mundësia që Mbappe të transferohet në Premier League, ndonëse gjithçka mbetet për t’u konfirmuar vetëm në të ardhmen e afërt.