Tottenham ishte e vetmja nga skuadrat e mëdha që zhgënjeu nga java e katërt e Premier-League-ës. Në transfertën e vështirë ndaj Watford, londinezët nuk arritën të ripërsërisnin formën e treguar ndaj Manchester United-it. Ndeshja u zhbllokua vetëm në minutën e 53-të, kur Doucaoure shkaktoi një autogol. Gjithsesi për të ndrequr gjithcka mendoi i përhershmi Deeney, i cili realizoi rreth 15 minuta më vonë barazimin dhe inkurajoi të tijët për të marrë fitoren, fitore që u rregjistrua me golin e Cathcart në minutën e 76-të. Ndërkohë po të dielën Arsenal dhe Manchester United arritën fitore në transfertat e tyre ndaj Cardiffit dhe Burnley-it. Në sfidën e luajtur në drekë, skuadra e Unai Emery e pati të vështirë të siguronte fitoren. Mustafi, ishte ai që zhbllokoi shifrat me një gol me kokë. Por Camarasa barazoi pak përpara fundit të pjesës së parë.
Topcinjtë gjithsesi nuk e humbën ritmin. Në pjesën e dytë Aubameyang kaloi sërish Arsenalin në avantazh, por ky avantazh nuk zgjati shumë, Ward barazoi rezultatin në më pak se 8 minuta lojë. Por barazimi i tretë sezonal i këtyre të fundit nuk do të arrihej pasi Lacazette realizoi golin e tretë për topcinjtë duke e mbyllur ndeshjen 3-2 në favor të Arsenalit. Në ndeshjen e pasdites të luajtur në Burnley, Manchester United gjeti ngushëllimin me lojë dhe rezultat të mirë. Sanchez dhe Lukaku dominuan pjesën e parë me belgun që realizoi dy gola. Në pjesën e dytë Pogba shpërdoroi një penallti, ndërsa Rashford u nxorr me të kuq pas një zënke me Bardsleyn. Pas javës së katërt, kampionati kryesohet nga Liverpool-Chelsea dhe Watford që kanë nga 12 pikë, Tottenham zbret në vend të pestë me 9 pikë, ndërsa Arsenal dhe United mbeten në mes të tabelës me 3 pikë më pak se londinezët.