Nuk kishin shënuar asnjë gol në 6 ndeshjet e fundit të Premier League-ës, por ndaj Liverpoolit Leicester City shënoi plot 3 herë duke marrë një fitore me mjaft vlera. Në sfidën e së hënës mbrëma në King Power kampionët në fuqi vinin pas një vale kritikash dhe presioni, kjo për shkak të shkarkimit të trajnerit Claudio Ranieri dhe gjendjes në vendin e 18-të të renditjes. Por ashtu sikurse qe deklaruar nga lojtarët, në fushë u pa qartë se Leicester City i ka mundësitë për ta kthyer situatën. Nën drejtimin e 53-vjeçarit Craig Shakespeare, Leicester zhvilloi një lojë fantastike duke e dominuar Liverpoolin nga fillimi e deri në fund. Goli i Jamie Vardy-it në minutën e 28-të coi peshë gjithë stadiumin. Sezonin që shkoi 30-vjecari ishte golashënuesi skuadrës me 24-gola, por këtë sezon, përpara kësaj sfide ai qe ndalur në kuotën e vetëm 5 realizimeve. Sidoqoftë ndaj Liverpoolit u pa i njëjti agresivitet që e kishte karakterizuar gjithmonë dhe kjo i karikoi edhe më shumë lojtarët e tjerë. 10 minuta më pas Danny Drinkwater realizoi një gol të shkëlqyer me një goditje potente nga distanca duke e mbyllur pjesën e parë me shifrat 2-0. Entuziazmi dhe mbështetja e tifozëve rikthyen edhe njëherë ndjesinë e sezonit të kaluar ku shpresa e shtynte skuadrën të bënte të pamundurën në fushë. Dhe e tillë duket se mund të bëhet sërish. Në pjesën e dytë Jamie Vardy shënoi sërish në pjesën e dytë dhe loja ishte praktikisht e mbyllur. Për skuadrën e Jurgen Klopp Coutinho ngushtoi diferencën në 3-1 dhe tanimë Leicester del nga zona e ftohte dhe ngjitet në vendin e 15-të në kuotën e 24 pikëve.