Premier-League, më 15 shtator kryhet testi i fundit për VAR-in

Sport

premier
E shtuna e 15 shtatorit do të jetë vendimtare për futbollin anglez, kjo pasi 5 ndeshjet e pasdites do të testohen për të implementuar përfundimisht ose jo, sistemin e video-asistencës në gjykim. Lajmi në fjalë është publikuar nga The Telegraph që këmbëngul se Premier-League po punon fort për ta zgjidhur njëherë e përgjithmonë këtë çështje. Kështu 5 takimet e së shtunës së 15 shtatorit, do të kenë sistemin VAR, por gjyqtari nuk do të ketë komunikim me teknologjinë dhe në fund të këtyre përballjeve do të bëhet një analizë për të gjitha vendimet e marra në fushë, në raport me ato që mund të ishin marrë me ndihmën e VAR-it.

VAR

Pas përvojës në kupën e botës për klube, kupës së konfederatave dhe më tej Kupës së Botës, tashmë kampionatet më të forta në Evropës, si La Liga, Serie-A, Ligue 1 apo Bundesliga, përdorin Video-Asistencën në gjykim. Në Angli vitin që shkoi VAR-i u përdor në Kupën e Ligës dhe në Kupën e Federatës. Pavarësisht rezultateve premtuese, klubet votuan kundër implementimit të teknologjisë për këtë sezon, gjë që sipas The Telegraph, mund të ndryshohet nëse testi i së shtunës jep rezultate. 60 ndeshje të futbollit anglez do të kenë VAR këtë vit, sigurisht për kompeticionet e kupave, ndërkohë vetë UEFA konfirmoi javën e kaluar se po planifikon të aplikojë VAR-in për sezonin e ardhshëm të Champions League-ës.