Manchester United ishte një nga skuadrat që zhgënjeu më së shumti në fundjavë, kjo pasi “Djajtë e kuq” humbën 3-2 përballjen me Brightonin. Ishte një fillim i tmerrshëm ai në Amex Stadium të Brightonit. Vendasit shënuan 2 herë brenda dy minutave në të 25-ën dhe 27-ën me Murray dhe Duffy. Të gjetur tërësisht të papërgatitur, Djajtë e Kuq u munduan të reagonin, por goli i Romelu Lukakut në të 34-ën, u hodh poshtë rreth 10 minuta më vonë. Brighton fitoi një penallti pak përpara fundit të pjesës së parë dhe Gross e dërgoi në rrjetë. Pjesa tjetër, ishte me United-in në agoni të plotë. Martial u largua për t’i lënë vend Fellainit, Mata Rashfordit dhe Pereira Lingardit, por asgjë nuk ndryshoi.
Në minutën e 95-të më pas, Pogba dërgoi në rrjetë një penallti. U mbyll 3-2 dhe një valë kritikash kanë rrethuar skuadrën e Jose Mourinhos. Pas takimit, Pogba ishte i drejtë-përdrejtë teksa tha se skuadra nuk pati aspak qasjen për të fituar. “Agresiviteti dhe dëshira për të marrë tre pikët ishte nga ana e tyre” – tha francezi i përfshirë prej kohësh në një marrëdhënie të trazuar me trajnerin Jose Mourinho. Ky i fundit nuk preferoi të merrej me individët, por tha se në tërësi skuadra u shfaq e dobët në fushë. “Ne bëmë gafa të pafalshme në disa nga momentet më kyçe të takimit. Gafa që na kushtuan shtrenjtë” – tha Mourinho. Javën e ardhshme United duhet të përgatitet më fort, pasi luan kundër Tottenhamit, skuadër që ka mundur të marrë 6 pikë nga dy javët e para.