Një penallti e Milnerit, një karton i kuq për kundërshtarët dhe një gol i Manes, i mjaftuan Liverpoolit që të korrte një fitore të vështirë në fushën e Crystal Palace të hënën. Në vizitën e tyre në Londër, nënkampionët e Evropës luajtën me organikë të plotë ndërsa sfida mes trajnerëve Klopp dhe Hodgson pritej të ishte goxha interesante. Pas dy-tre rastesh nga vendasit, Liverpooli gjeti mundësinë përmes një njëmbëdhejtëmetërshi të fituar nga Mohamed Salah. Ishte fundi i pjesës së parë dhe James Milner e dërgoi topin në rrjetë pa shumë probleme. Në pjesën e dytë loja foli më shumë për Liverpoolin.
Në kërkim të golit personal, Mohamed Salah pati dy-tre raste, në më të fundit, të minutës së 75-të, ai u ndal në mënyrë të parregullt nga ana e Wan-Bissakas dhe nga gjyqtari Martin Oliver u cilësua për karton të kuq. Kështu me avantazhin e një goli dhe të një lojtari më tepër, Liverpooli ishte praktikisht e fituar, edhe pse vendasit nuk është se u zhbalancuan shumë. Gjithsesi për të shënuar të dytin, të kuqve do t’u duhej koha shtesë. Në të 93-ën minutë Salah shërbeu Manen dhe ky i fundit arkivoi shifrat në 2-0. Për afrikanin ky ishte goli i tretë për këtë sezon, aq sa ka dhe Aguero i City-it. Liverpool i bashkohet 6 skuadrave të para që kanë mundur t’i fitojnë të dyja ndeshjet e këtij sezoni.