Manchester City synon këtë vit që të bëhet skuadra e parë që ia del ta mbrojë titullin në Premier-League, pas dicka më shumë se një dhjetë-vjecari. Për këtë Pep Guardiola duket se ka vendosur të kërkojë maksimumin nga skuadra dhe për këtë ka ndërmarrë një praktikë me rregulla tejet shtrënguese ndaj grupit. Daily Mail ka zbuluar se spanjolli i ka ndaluar skuadrës telefonat në të gjitha zonat e stërvitjes, në fushë, në dhomat e zhveshjes, palestër apo edhe në dhomën e analizave. Trajneri katalan ia doli vitin që shkoi ta shpallë kampione City-in me një rekord prej 100 pikësh. Loja dhe forma e paluhatshme ishte ajo që spikati më së tepërmi nga The Cityzens dhe Guardiola ka treguar se përqendrimi i duhur është sekreti kryesor në këtë drejtim.
Daily Mail raporton se trajneri katalan po aplikon një sistem gjobash edhe për vonesat në stërvitje, gjë që nuk ishte parë ndonjëherë te City. Benjamin Mendy thuhet se është ndër ata që po e vuan më së tepërmi këtë pjesë. Ndër praktikat e tjera shtrënguese të Guardiolës, Daily Mail nënvizon edhe angazhimin në stërvitje. Sipas Guardiolës, nëse nuk jep maksimumin gjatë javës në seancat stërvitore, s’meriton as uljen në stol. Rasti konkret ka të bëjë me gjermanin Leroy Sane, ku ndaj Newcaslte-it, të gjithë u shtangën kur e panë atë në tribunë. E pra Guardiola duket me synime të qarta, mbetet për t’u parë se sa do t’i përgjigjen lojtarët.