Premier-League, Chelsea fiton sërish, Sarri bëhet si Conte, Ancelotti apo dhe Mourinho

Sport

maurizioooooo

Maurizio Sarri u bë të dielën trajneri i pestë në historinë e Chelsea-it që debuton me 3 fitore radhazi në kampionat. Pas Antonio Contes, Carlo Ancelottit, Guus Hiddinkut dhe Jose Mourinhos, Sarri merr kështu të njëjtin sukses. E diela ishte me një transfertë të vështirë si ajo e St James-Park, atje ku Blutë nuk fitonn që prej dhjetorit të vitit 2011. Sikurse e nënvizoi edhe Sarri në konferencën për shtyp, ishte e vështirë të luhej kundër një skuadre të Rafa Benitezit me rreshtim me 5 mbrojtës. Sidoqoftë, ishte një penallti e Marcos Alonsos ajo që i dha mundësinë Eden Hazardit që të zhbllokonte shifrat, kjo në minutën e 76. Gjithsesi vendasit reaguan mirë, Joselu shënoi barazimin në minutën e 83 duke ndezur tërë stadiumin.

sarri

Por entuziazmi u shua fill katër minuta më pas, kur Yedlin, shkaktoi një autogol. Përfundoi 2-1 për Chelsea-in. 3 pikë për Blutë, të cilët i bashkohen Liverpoolit dhe Watfordit si të vetmet skuadra me nga 3 fitore këtë fundjavë. Pikërisht Watfordi duket surpriza e këtij fillim-sezoni teksa këtë të dielë mundi 2-1 Crystal Palace-in. Për t’iu rikthyer Chelsea-it, BBC raportoi të dhëna tejet interesante ku për shembull, Jorghinho kreu 158 pasime të sakta, më shumë se i gjithë Newcaslte-i bashkë. Sarri e lavdëroi tejmase brazilianin ndërsa tha se do të kishte dashtur që t’i jepte pushim belgut Hazard në 10 minutat e fundit. Të shtunën, Chelsea pret në shtëpi Bournemouth-in, një tjetër sfidë e cila parashikohet të jetë e vështirë.